Shkolla e Magjistraturës, më datë 17 tetor 2025, po zhvillon aktivitetin trajnues me temë: “Metodologjia e zhvillimit të aktiviteteve trajnuese”, pranë ambienteve të Shkollës së Magjistraturës, në Tiranë.
Ky aktivitet trajnues drejtohet nga:
Ekspertë: Sokol Berberi dhe Vangjel Kosta
Lehtësues: Borana Mustafaraj
Organizimi dhe zhvillimi i aktiviteteve trajnuese në Shkollën e Magjistraturës ndjek standardet më të larta të “mësimit për të rritur” të hartuara nga Rrjeti Evropian i Trajnimit Gjyqësor dhe të përqasura me shkollat homologe në Evropë dhe rajon. Trajnerët e Shkollës, të angazhuar në Programin e Formimit Fillestar dhe në Programin e Formimit Vazhdues, duhet t’i njohin dhe të angazhohen ndaj këtyre standardeve me qëllim cilësinë e aktiviteteve trajnuese ku ata janë kontributorë. Për përmbushjen e këtij qëllimi Shkolla organizon në mënyrë të përvitshme të paktën një aktivitet trajnimi trajnerësh.
Qëllimi i këtij trajnimi: Në përfundim të këtij trajnimi, pjesëmarrësit do të jenë pajisur me mjetet e nevojshme didaktike për të përçuar në aktivitetet e trajnimit fillestar dhe vazhdues njohuri dhe aftësi ligjore, sjellje dhe qëndrime (soft skills).
Në përfundim të këtij trajnimi, pjesëmarrësit do të jenë pajisur me njohuritë dhe aftësitë e duhura për organizimin, drejtimin dhe vlerësimin e një aktiviteti trajnues.
Trajnimi po realizohet duke ndërthurur prezantimet (deri në 20-30 min) me diskutimin e çështjeve të shtruara (pyetjeve vetë studimore; pyetje-përgjigje) dhe ushtrimeve me raste praktike & kuize, për të nxitur dhe realizuar ndërveprimin aktiv të pjesëmarrësve.
Trajnimi do të fokusohet në disa çështje:
- Organizimi i një aktiviteti trajnues. Kërkesat për grupin e panelistëve. Ndërveprimi mes tyre dhe me Shkollën.
- Përcaktimi i objektivave të trajnimit. Rëndësia që këto objektiva të synojnë rritjen e aftësive konkrete ligjore dhe jo-ligjore.
- Zbërthimi i objektivave të trajnimit në veprimtari konkrete trajnimi. Mjetet interaktive të trajnimit.
- Standardet e vendosura nga Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë në lidhje me të drejtën e mbrojtjes së të pandehurit;
- Njësimi praktikës gjyqësore në lidhje me mbrojtjen e detyrueshme sipas nenit 471/4 të K.Pr.Penal;
Grupi i synuar i pjesëmarrësve janë pedagogët dhe specialistët e rinj të Programit të Formimit Fillestar dhe ekspertët dhe lehtësuesit e rinj të Programit të Formimit Vazhdues. Në këtë trajnim mund të marrin pjesë edhe magjistratë të cilët kanë interes që, me përmbushjen e kritereve ligjore/nënligjore, të konkurrojnë për të qenë trajnerë në Shkollën e Magjistraturës.